Sport

Shkodranët shënojnë në Vlorë, Vllaznia vazhdon “agjërimin” në sulm

Loading...


Flamurtari ndali hemorragjinë e humbjeve dhe mori pikën e parë në kampionat, teksa arriti të befasojë Laçin dhe t’i rrëmbejë një barazim 3-3, në sfidën e javës së pestë, të zhvilluar në qytetin e Vlorës.

Me një stadium me dyer të mbyllura, për shkak të problemeve me kushtet e sigurisë, vlonjatët e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe gjetën golin e avantazhit në minutën e 28’, me anë të mbrojtësit shkodran Denis Pjeshka.

Laçi riktheu baraspeshën në minutën e 39’, pas golit të shënuar nga Redon Xhixha, por në fund të pjesës së parë ishte shkodrani tjetër Xhevahir Sukaj, që shënoi edhe golin e dytë për Flamurtarin, duke e çuar në pushim, me avantazhin 2-1. Shkodrani shënoi me 11-metërsh në fakt, pas një penalltie inekzistente, ku Sukaj u shemb në tokë pa kontakt dhe meritonte ndëshkim me karton.

Braziliani Teko dhe amerikani Nwabueze shënuan për Laçin në pjesën e dytë, duke u dhënë avantazhin kurbinasve, që dukej se do largoheshin me një fitore nga Vlora, por në minutat e fundit ishte Anxhelo Haruni që shënoi golin e barazimit.

Minutat e mbetura nuk sollën asnjë ndryshim rezultati dhe dy skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë, që për flamurtarin ishte e para në këtë kampionat, ndërsa kurbinasit shkuan në kuotën e 5 pikëve në total.

Në barazim, por pa gola, përfundoi edhe sfida tjetër e javës së 5-të të Kategorisë Superiore, mes Vllaznisë dhe Luftëtarit në “Loro Boriçi”, në një sfidë ku shkodranët u ndalën nga shtylla në dy nga përpjekjet e tyre për gol.

Problemet në sulm të skuadrës së Vllaznisë nuk janë një gjë e re, pasi në 5 javë kampionat, skuadra e drejtuar nga Mirsad Jonuz ka shënuar vetëm një gol, atë ndaj Laçit në javën e parë të kampionatit, me anë të brazilianit Hygor.

E njëjta gjë u shfaq edhe sot në “Loro Boriçi” ku vendasit dominuan totalisht sfidën, por ishin të paqartë në 30 metrat e fundit dhe arritën shumë rrallë të vënë në provë portierin e Luftëtarit, duke u detyruar të kënaqen me vetëm një pikë në fund të takimit.

Një pikë që mund të quhet si fitore për Luftëtarin, që shkon kështu në kuotën e katër pikëve, ndërsa shkodranët zhgënjejnë në një nga ato ndeshje që duhen fituar patjetër dhe tani do t’u duhet të mendojnë për sfidën e radhës ndaj Skënderbeut në Shkodër.

Loading...
Loading...

ME TE LEXUAR

Loading...
Kosova Today News Reviewed by Kosova News on . Shkodranët shënojnë në Vlorë, Vllaznia vazhdon “agjërimin” në sulm Shkodranët shënojnë në Vlorë, Vllaznia vazhdon “agjërimin” në sulmRating: 5.0
To Top