Home / Shendet / OBSH: Taksoni ushqimet dhe pijet e dëmshme për shëndetin

OBSH: Taksoni ushqimet dhe pijet e dëmshme për shëndetin

Thirrja – OBSH-ja sugjeron taksim të ushqimeve të pashëndetshme, ndërsa obeziteti është bërë faktor problematik edhe në kontinentin e Azisë dhe Afrikës. Raporti më i fundit i OBSH-së ka disa sugjerime interesante për të frenuar obezitetin

Shkaktuar nga sasia më e madhe e yndyrave dhe sheqerit në ushqime dhe pije në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme, 41 milionë fëmijë nga mosha pesë vjeç e poshtë janë mbipeshë ose obezë, një numër që pritet të rritet më shumë se 70 milionë fëmijë kudo në botë gjatë dekadës së ardhshme. Këto janë parashikimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Nga viti 1990 deri në vitin 2014, norma e fëmijëve që janë mbipeshë ose obezë është rritur në 6.1 për qind nga 4.8 për qind, thotë një raport i OBSH-së publikuar të hënën. Në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme, numri i fëmijëve nga pesë vjeç e poshtë që janë mbipeshë është dyfishuar nga 7.5 milionë në 15.5 milionë.

Thuajse gjysma e këtyre fëmijëve mbipeshë (48 për qind) jetonin në Azi në vitin 2014 dhe 25 për qind e tyre në Afrikë.

Raporti, përgatitur nga Komisioni i OBSH-së për Luftën ndaj Obezitetit në Fëmijëri, është punuar gjatë dy viteve. Komisioni bëri thirrje për një “qasje qeveritare” për përmirësimin e dietave të fëmijëve dhe promovimin e aktivitetit fizik.

Përveç promovimit të ushqimit me gji për të porsalindurit dhe ofrimit të udhëzimeve për ushqimin e shëndetshëm, qeveritë duhet të zbatojnë një “taksë efektive mbi pijet me sheqer” për të pakësuar konsumin e tyre nga fëmijët dhe adoleshentët, thuhet në raport.

“Është provuar prej kohësh që konsumi i pijeve me sheqer lidhet me rritjen e rrezikut të obezitetit”, deklaron raporti. Në të theksohet se familjet me të ardhura të ulëta kanë rrezik më të madh të obezitetit dhe kanë shkallë më të lartë përgjigjeje ndaj ndryshimit të çmimeve.

Kështu, një familje e varfër mund të ndalojë së bleri produkte të shëndetshme për fëmijën nëse çmimet e tyre rriten dhe do të kthehet nga çmimet më të lira, e për pasojë te produktet më pak të shëndetshme, për të mbushur hendekun.

“Politikat fiskale mund ta inkurajojnë këtë grup të konsumatorëve të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme, si dhe të japin një sinjal edukimi mbi shëndetin publik tek e gjithë popullata”, thuhet në raport.

Disa vende gjithashtu mund të marrin në konsideratë vendosjen e taksave për ushqimet jo të shëndetshme, si ato që kanë nivel të lartë yndyrash dhe sheqeri, sugjeron raporti.

Në shkolla, në eventet sportive dhe në shfaqjet argëtuese në televizion, OBSH-ja ka sugjeruar që qeveritë të kufizojnë ekspozimin e fëmijëve ndaj reklamave të ushqimeve jo të shëndetshme dhe pijeve me sheqer.

“Pavarësisht rritjes së numrit të përpjekjeve vullnetare nga industria, ekspozimi në marketingun e ushqimeve jo të shëndetshme mbetet një problem madhor, që kërkon ndryshim, në mënyrë që të gjithë fëmijët të jenë njëlloj të mbrojtur”, thotë raporti.

Raporti vjen në një kohë kur shitjet e pijeve joalkoolike kudo nëpër botë kanë arritur majat. Në vende si India, Brazili dhe Kina, shitje të tilla janë katërfishuar gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2012, shitjet e pijeve joalkoolike me dhe pa gaz, 40 për qind të të cilave kontrolloheshin nga gjigantët amerikanë si Coca-Cola dhe PepsiCo, vlerësoheshin në 532 miliardë dollarë.

Ndërkohë, shitjet e ushqimeve të paketuara dhe të përpunuara janë gjithashtu në rritje në kombet me të ardhura të mesme. Raporti i OBSH-së nxit organizatat joqeveritare që të përshkallëzojnë përpjekjet e tyre për të luftuar obezitetin dhe thotë se sektori privat duhet të mbështesë prodhimin dhe përmirësimin e aksesit në më shumë ushqime dhe pije të shëndetshme.

Qeveritë gjithashtu duhet të koordinojnë përpjekjet e tyre, në mënyrë që marketingu për ushqimet dhe pijet e pashëndetshme të mos i kalojë kufijtë, tha komisioni.

Raporti thekson se “aktiviteti i ulët fizik po bëhet shumë shpejt norma sociale në shumicën e vendeve”. Ai u bën thirrje qeverive që të sigurojnë që fëmijët në shkolla dhe në hapësira të tjera publike të kenë më shumë kohë dhe hapësirë për t’u marrë me aktivitet fizik.

E njëjtë gjë rekomandohet edhe për adoleshentët. Kufizimi i kohës përpara televizorit është po ashtu një problem. Në shkallë globale, 84 për qind e vajzave dhe 78 për qind e djemve nga mosha 11 në 17 vjeç nuk ia dalin të bëjnë aktivitet fizik për 60 minuta në ditë, siç rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Këshillat për të mbrojtur fëmijët nga obeziteti

Balanca është çelësi që ndihmon fëmijët tuaj të ruajnë një peshë të shëndetshme. Balanconi kaloritë që fëmijët tuaj marrin përmes ushqimit dhe pijeve, duke i nxitur ata të kryejnë aktivitet fizik dhe të kenë një rritje normale.

Fëmijët mbipeshë dhe obezë duhet ta pakësojnë normën e peshës që marrin, ndërsa lejojnë rritjen dhe zhvillimin normal. Megjithatë, mos e vini fëmijën tuaj në dietë pa marrë më parë miratimin dhe këshillimin e një specialisti.

Inkurajojini fëmijët tuaj të hanë shëndetshëm, afrojini perime, fruta dhe produkte drithërash. Nxitini të konsumojnë qumësht me pak ose aspak yndyrë. Zgjidhni për ta ushqime që kanë proteina, si peshku, mishi, thjerrëzat dhe bishtajoret.

Kur u shtroni ushqimin në pjatë, sigurohuni që bëhet fjalë për porcione të masës normale. Nxitini fëmijët të pinë sa më shumë ujë dhe kufizoni pijet me sheqer.

*Burimi: Los Angeles Times

Loading...
Me shume ... shqiperia, shqiptarja,shqiperia qe duam,shqiponja,shqip tv,shqip shqip,shqiperia ime,shqiperia dhe bashkimi europian,shqiptaret per shqiptaret,shqiperia ne be,shqip anglisht,shqip gaming,shqip tv hd,shqip tv apk,shqip turqisht,shqip iptv,shqip gjermanisht,shqip greqisht,shqip al,shqip arabisht,shqip anglisht niveli i pare mesimi 5,shqip anglisht niveli i pare,shqip anglisht niveli i dyte,shqip anglisht niveli i dyte mesimi 1,shqip app,shqip anglisht per fillestar,shqip anglisht niveli 1 mesimi 2,shqiperi e mjera shqypni,shqipe a jashari,shqipe a bazi,shqipe.

Nese te pelqen lajmi atehere shperndaje