Shendet

Dhimbjet e shpinës, shkaqet dhe si t’i qetësojmë

Loading...

Bisedoi: Emanuel Smaka

Dhimbjet e shpinës mbeten një problem mjaft i përhapur në vendin tonë tek grupmosha të ndryshme, kjo edhe për shkak të stilit të jetesës. Vlera Lekaj, mjeke familje pranë Qendrës Shëndetësore Nr. 8 në Tiranë tregon për gazetën “Shëndet+” se përballet çdo ditë me pacientë me dhimbje të shpinës për shkak të punës apo aktivitetit të sforcuar fizik. “Nëse dhimbjet e vogla të shpinës nuk trajtohen në kohë, shton ajo, problemi mund të rritet duke dëmtuar nervin shiatik”.

Doktoreshë, cilat janë moshat më të prekura nga dhimbjet e shpinës? Nga se shkaktohen ato?

Grupmoshat më të prekura nga dhimbjet e shpinës janë 30-50 vjeç. Pra, të këtyre moshave janë kryesisht pjesa më e madhe e individëve që kërkojnë shërbim shëndetësor për shkak të dhimbjeve. Po e fillojmë me dhimbjet e shpinës, pasi nervi shiatik vjen si pasojë e tyre.

Ka 2 lloje të dhimbjeve të shpinës, ato janë akute dhe kronike. Dhimbjet akute janë ato që duan një kohë dhe rikthehen sërish në gjendje fillestare, ndërsa dhimbjet kronike praktikisht janë të vazhdueshme dhe duhen mjekuar gjatë gjithë kohës.

Dhimbjet akute janë më të shpeshta tek të rinjtë, sepse ato vijnë nga një dëmtim i muskulit. Të rinjtë janë më aktivë në jetën e përditshme dhe dhimbjet akute mund të ndodhin nga ndonjë sforcim fizik apo ngritje peshe. Pra, një sforcim i tillë mund të jetë burim dëmtimi për muskujt e shpinës, të cilët më pas japin dhimbje. Dhimbja është shumë e fortë dhe mund të zgjasë deri në 3 javë. Edhe aktivitetet e përsëritura gjatë gjithë kohës janë po ashtu shkaktarë të dhimbjeve akute të shpinës. Edhe qëndrimi në këmbë vazhdimisht. Kjo lidhet me punën dhe jep shkaqe akute, pra dhimbje të shpinës që mund të përmirësohen. Kohëzgjatja e dhimbjeve akute të shpinës është 3 deri në 6 javë.

Çfarë u rekomandohet këtyre pacientëve?

Në varësi të rasteve, kryesisht pacientët e njohin problematikën dhe kujdesen që ti lehtësojnë dhimbjet me mënyra të thjeshta, por nëse kjo nuk ka rezultate, pastaj ndërhyn mjeku i familjes dhe mjeku specialist. Sugjerimi ynë i parë si mjekë është që në vendin ku ndihet dhimbja të mbahen sende të ftohta. Tjetër rekomandim janë ilaçet anti inflamatore si aspirina dhe ibuprofeni. Këto ilaçe jepen në një moment, kur pacientit nuk i qetësohen dhimbjet.

Po seancat fizioterapeutike…

Edhe fizioterapia është një mënyrë e mirë për të shmangur dhimbjet akute të shpinës. Është ajo që ne e quajmë streching. Streching përfshin ushtrime të vogla që ndihmojnë në lëvizjen dhe fitimin e elasticitetit. Pra, fizioterapia, aplikimi i trupave të ftohtë tek vendi i dhimbjes akute, por edhe aplikimi i ilaçeve nga goja që janë anti inflamatorët.

Po sa i përket raportit femra-meshkuj?

Femrat kanë predispozitë më të madhe që të preken nga dhimbjet e shpinës. Kjo pasi femrat vuajnë nga osteoporoza që është konsumimi i kockave për shkak të rënies së nivelit të kalciumit. Tek femrat, kockat mund të dobësohen edhe për shkak të shtatzënive të mëparshme. Nga ana tjetër, arsyet kryesore të shfaqjes së dhimbjeve akute të shpinës tek meshkujt, është aktiviteti i tyre fizik apo punët e rënda që mund të bëjnë. Në raportin gjinor të të prekurve nga dhimbjet akute të shpinës, numri i grave është më i lartë në raport me burrat.

Po dhimbjet kronike të shpinës, çfarë specifikash kanë?

Dhimbjet kronike i ndajmë gjithashtu në dy kategori. Dhimbjet strukturore është grupi i parë, të cilat janë deformime të shtyllës kurrizore, të cilat mund të jenë të lindura ose të fituara. Nga vetë fjala strukturore kemi të bëjmë me deformim të shtyllës kurrizore. Ndërsa dhimbjet kronike mekanike hyjnë tek grupi i dytë. Si pasojë e tyre shfaqen më pas edhe probleme të nervit shiatik. Dhimbjet kronike mekanike janë më të shpeshta. Grupmosha më e prekur nga këto dhimbje është mbi 50 vjeç. Sa i përket shkaktarëve të dhimbjeve kronike janë të ndryshëm nga dhimbjet akute. Shkaku kryesor është dëmtimi i disqeve ndërmjet vertebrave të shtyllës kurrizore. Patologjia e parë shëndetësore që sjell deformimi i këtyre disqeve është hernia diskale. Kjo ndodh pasi disku humb masën xhelatinoze që ka në brendësi dhe krijon forcë të madhe fërkimi mes vertebrave të shtyllës kurrizore. Dhimbja e hernies diskale është shumë e fortë. Ndërsa sëmundjet degjenerative (plakja dhe dobësimi i fasjeve muskulore) janë një tjetër kategori që konsiderohen shkaktare të dhimbjeve të shpinës dhe më pas nervit shiatik.

Loading...
Loading...

ME TE LEXUAR

Loading...
Kosova Today News Reviewed by Kosova News on . Dhimbjet e shpinës, shkaqet dhe si t’i qetësojmë Dhimbjet e shpinës, shkaqet dhe si t’i qetësojmëRating: 5.0
To Top